Shqipëria vazhdon të jetë ekonomia më pak e kredituar në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se deri në fund të vitit të kaluar, portofoli i kredisë në vend ishte 34% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke shënuar një përmirësim të dukshëm nga 31.6% që ishte në vitin 2024. Edhe pse kredia në terma realë ka shënuar një rritje për të dytin vit radhazi, Shqipëria vazhdon të mbetet mbrapa vendeve fqinje. Kosova regjistron kreditimin më të lartë në rajon, me një portofol që arrin në 64.4% të PBB-së, e ndjekur nga Mali i Zi me 64.1%, Maqedonia e Veriut me 54%, Bosnje-Hercegovina me 49.7% dhe Serbia me 34.8% të PBB-së.

Historikisht, Shqipëria ka pasur nivele të ulëta të kredisë në raport me PBB-në gjatë gjithë periudhës postkomuniste. Një rritje e shpejtë e këtij raporti u regjistrua sidomos nga viti 2005 deri në vitin 2011, kohë kur sektori bankar u zgjerua në vend. Në vitin 2011, raporti i kredisë ndaj PBB-së arriti nivelin më të lartë historik, duke tejkaluar 41%. Pas kësaj periudhe, ky raport filloi të binte për shkak të krizës së kredive me probleme, gjë që solli stanjacion të kreditimit për vite me radhë, si dhe një pastrim të portofolëve nga kredite të humbura. Fshirja e kredive të humbura nga sektori bankar filloi të marrë përmasa të konsiderueshme në vitin 2015, kur Banka e Shqipërisë vendosi një detyrim për të nxjerrë jashtë bilanceve kreditë e klasifikuara si të humbura për më shumë se tre vjet. Sipas Bankës së Shqipërisë, nga janari 2015 deri në qershor 2026, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre më shumë se 1 miliard euro kredi të humbura.

Në periudhën 2019-2020, raporti i kredisë ndaj PBB-së iu rikthye rritjes, për shkak të gjallërimit të kreditimit, ndonëse ekonomia pësoi një frenim të fortë në vitin pandemik 2020. Deri në vitin 2023, ky raport përsëri ishte në rënie, pasi huadhënia nuk arriti të mbante ritmet e rritjes ekonomike. Pas vitit 2024, rritja e shpejtë e kreditimit ka kontribuar në rikthimin e raportit me PBB-në në rritje. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit portofoli i kredisë për ekonominë arriti në 1.015 trilionë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 12.5%. Rritja e kredisë në vlerë nominale vazhdon të jetë e lartë dhe qëndron pranë niveleve më të larta të 18 viteve të fundit. Megjithatë, kjo rritje, sidomos për financimin e pasurive të paluajtshme, ka ngritur shqetësime për Bankën e Shqipërisë, e cila, duke filluar nga viti 2024, ka nisur të aplikojë disa masa rregullatore frenuese për të ngadalësuar këtë rritje.

Burimi: lapsi.al