Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pas përfundimit të misionit vlerësues për vitin 2026, i cili shqyrtoi financat publike dhe treguesit kryesorë makroekonomikë të vendit. Nga ky vlerësim del se ekonomia shqiptare po tregon një rezistencë të lartë ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, pas takimit me ekspertët e FMN-së, theksoi se stabiliteti aktual mbështetet te zgjerimi i fortë ekonomik, frenimi i inflacionit dhe ulja e mëtejshme e nivelit të borxhit publik. “Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar sapo përfundoi vlerësimin periodik të Shqipërisë për vitin 2026 mbi ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe fiskalë. Ekipi i FMN-së vlerëson rritjen e fortë ekonomike të Shqipërisë, borxhin publik në ulje, si dhe aftësinë e ekonomisë shqiptare për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Të tri këto elemente i mundësojnë ekonomisë shqiptare që të jetë më e përgatitur për t’u përballur me goditje që mund të vijnë nga jashtë,” tha Malaj.
Ai shtoi se qeveria do të vazhdojë të ndjekë politika fiskale të kujdesshme dhe do të përqendrohet në përshpejtimin e reformave strukturore, të cilat janë thelbësore për të përafruar ekonominë e vendit me standardet e Bashkimit Europian. “Ministria e Financave do të vijojë me këtë rrugë duke ndjekur politika fiskale të kujdesshme, duke bërë një rishpërndarje më të drejtë të shpenzimeve buxhetore, si dhe duke ndjekur reformat që e çojnë Shqipërinë më pranë Bashkimit Europian,” nënvizoi ministri Malaj.

