Një diplomë universitare nuk garanton më një vend pune në Shqipëri. Sipas të dhënave nga INSTAT, në vitin 2025, 17 mijë e 800 individë me arsim të lartë ishin të papunë. Erion Muça, ekspert i Tregut të Punës, thekson se ka disa arsye përse shumë të rinj nuk arrijnë të punojnë në profesionin e tyre. Ai rendit si arsye kryesore mungesën e këshillimit të karrierës në zgjedhjen e degës së studimit.
“Arsyet e papunësisë së studentëve të diplomuar janë të shumta, por më kryesoret lidhen me mospërzgjedhjen e degës së duhur gjatë këshillimit për karrierë në maturë ose më herët. Në Shqipëri na mungon institucionalizmi i këshillimit profesional, që çon shumë të rinj drejt vendimarrjeve të gabuara për degën që zgjedhin, duke e vështirësuar aksesin në tregun e punës. E dyta lidhet me mospërputhjen mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës në Shqipëri,” shprehet Muça.
Ai thekson se integrimi i studentëve në tregun e punës gjatë studimeve është thelbësor dhe se nuk duhet pritur deri pas diplomimit për të filluar kërkimin e punës. “Nuk duhet lënë punësimi pas universitetit, por sa më shpejt, aq më shumë e njohin tregun, rriten profesionalisht dhe arrijnë të kenë autonomi profesionale, krijojnë një identitet,” shton ai.
Muça gjithashtu nënvizon se shumë të rinj nuk e kërkojnë punën me strategji të qartë. Një pjesë e tyre e kuptojnë vonë se teknologjia ofron mundësi të shumta për integrim në tregun e punës. “Mendoj se çdo përvojë që ata kanë, duhet ta kthejnë në profesion. Nëse nuk e kthejnë punën në profesion, vështirësia për të arritur stabilitet afatgjatë ka rreziqe të mëdha,” thotë Muça.
Megjithatë, përtej shifrave të papunësisë, ka të rinj që arrijnë të integrohen në tregun e punës, madje disa prej tyre e nisin karrierën gjatë viteve të universitetit. Sipas Muçës, specializimet, aftësitë e mira prezantuese dhe njohja e tregut janë disa nga faktorët që ndihmojnë në hapjen e dyerve drejt punësimit. Prandaj, është e rëndësishme që të rinjtë të jenë të vetëdijshëm për mundësitë që ofron tregu dhe të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për të qenë konkurrues. Në këtë mënyrë, ata mund të kontribuojnë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe të sigurojnë një të ardhme më të mirë për veten e tyre.
Burimi: Vizion Plus / Elisjeda Kiko

