Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka prezantuar prioritetet e projektbuxhetit për vitin 2027, duke nënvizuar rritjen e mbështetjes financiare për familjet shqiptare dhe investimet në sigurinë publike. Një nga masat kryesore është rritja mesatare e pagave me 27% për 8.174 punonjës të Policisë së Shtetit, duke përfshirë efektin e vjetërsisë në punë.

Projekti i buxhetit për vitin 2027, i pari që kalon vlerën 10 miliardë euro, synon që rritja ekonomike të reflektohet në jetën e qytetarëve. “Suksesi i ekonomisë nuk matet vetëm me miliardat në euro, por me atë që ndryshon në jetën e çdo familjeje”, tha Demo. Rreth 3.3 miliardë lekë janë parashikuar për politikën e pagave të punonjësve, me një rritje të pagave për punonjësit e Policisë që do të jetë 23,600 lekë për ata me gradën inspektor, ndërsa për gradat e tjera rritja do të jetë 15,000 lekë në muaj.

Në fjalën e tij, Demo bëri të ditur se parashikohet dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët dhe rritja e bursave për studentët në nevojë nga 10 mijë në 25 mijë lekë. Po ashtu, do të dyfishohet mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara. Një tjetër masë e rëndësishme është ulja e TVSH-së në 6% për 54 produkte bazë të shportës ushqimore, me qëllim lehtësimin e shpenzimeve për familjet.

Demo theksoi gjithashtu se mbështetja për pushtetin vendor është e nevojshme për të përmirësuar shërbimet dhe infrastrukturën në lagje. “Ky është qëllimi ynë: që rritja e ekonomisë të ndihet në çdo shtëpi shqiptare”, përfundoi ai, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për punonjësit e Policisë dhe familjet e tyre, duke e quajtur këtë rritje pagash si më të lartën e realizuar deri më tani për ta.