Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar projektbuxhetin 2027 gjatë diskutimeve në Kuvend, duke u fokusuar në rritjen e çmimeve të banesave dhe kostot e larta të qirave në Tiranë. Sipas Berishës, qiraja mesatare në kryeqytet ka arritur në 700 euro në muaj, ndërsa çmimi mesatar i apartamenteve ka shënuar një rritje të konsiderueshme, duke kaluar nga 700 euro për metër katror në vitin 2013 në 2140 euro sot.
“Çfarë mbetet nga ky buxhet? Mbetet mjerimi për shqiptarët, mbetet rritja e çmimeve, rritja e madhe e çmimeve. Fliste këtu për ndërtimin? Përfaqësues i shëmtuar i klaneve më të zeza të drogës. Merrni shifrat, merrni statistikat. Në Shqipëri, në tetë vite, 340.000 familje shqiptare janë bërë me shtëpitë e dytë, jo me kulla. Jo jo, shtëpi në fshatra i kishin kasolla ndërtuar në shtëpi. Asnjë kullë. Po sa ishte çmimi? Merrni statistikat. Çmimi mesatar thotë INSTAT-i ishte 700 euro metri në 2013-n në Tiranë. Sot çmimi në Tiranë është 2140 euro çmim mesatar. Po kush e prek dot atë?” theksoi Berisha.
Ai gjithashtu e theksoi se qiraja aktuale në Tiranë, që sipas INSTAT-it është 700 euro, është e barabartë me një rrogë mesatare, duke rritur shqetësimin për aksesin në strehim për qytetarët. “Sa është që ai s’merr dot shtëpi? 700 euro ku strehohesh dot? Dhe marrin trajsen dhe nisen rrugëve të botës. Por për xhinsin tuaj ju jo blini, po ju i paguani qiratë kudo. U ka dalë nami, ju ka dalë era në mbarë Europën”, shtoi ai.
Berisha e përshkroi buxhetin si dëshminë e vjedhjeve më të mëdha të qytetarëve dhe akuzoi qeverinë për favorizimin e koncesioneve dhe rritjen e varfërisë. “Buxheti është dëshmia më flagrante e vjedhjeve më të mëdha të qytetarëve të një vendi nga narkoqeveria dhe zyrtarët e saj. Nuk ka të tjerë. Edhe në rrafshin ndërkombëtar jeni bërë siç jeni. Lexoni raportin e Komisionit Europian. Dhe ju s’keni kurajo të ngriheni t’i thoni koha jote ka marrë fund se në fund të fundit jemi qytetarë të këtij vendi. Jemi patriotë. Po ju s’keni çfarë patriotizmi ju? Ju patriotizmin jua ka ngrënë xhepi. Jua kanë ngrënë interesat tuaja. Jeni transformuar si personazhet e Franz Kafkës. Edi Rama ka përdorur një taktikë shumë të veçantë, taktikën e përlyerjes me çdo kusht të secilit”, përfundoi ai.

