Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, paraqiti sot në Kuvend projektbuxhetin e vitit 2027, duke e cilësuar atë si buxhetin më të madh në historinë e vendit. Ai theksoi se rritja e financimit do të sjellë më shumë siguri publike dhe shërbime më cilësore për qytetarët. “Ky është buxheti më i madh që ky parlament do të votojë, por e rëndësishme është arsyeja pse ky buxhet është më i madh,” deklaroi ai.
Demo e lidh rritjen e buxhetit me performancën ekonomike të vendit, përfshirë rritjen reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), investimet e huaja dhe stabilitetin fiskal. “Nuk është e rëndësishme vetëm sa shpenzojmë, por çfarë ndryshon për qytetarin,” theksoi ministri. Buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme arrin në rreth 40 miliardë lekë, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2026. Një nga pikat kryesore është politika e re e pagave, për të cilën janë parashikuar 3.3 miliardë lekë.
Për 8,174 punonjës policie të gradës ‘Inspektor’, është parashikuar një rritje prej 23.600 lekësh, që përfshin edhe vjetërsinë në punë. Kjo do të përfaqësojë një rritje prej 27%. Për gradat e tjera, rritja do të jetë 15 mijë lekë në muaj, përkatësisht 13–17% kur përfshihet vjetërsia. “Kjo është rritja më e lartë e pagave që ne kemi për Policinë e Shtetit në vitet e fundit,” theksoi ai.
Një pjesë e rëndësishme e buxhetit do të shkojë për investime në infrastrukturë dhe projekte të tjera, ku janë parashikuar 2.8 miliardë lekë për investime të brendshme dhe 1.85 miliardë lekë për projektin “Smart City”. Kjo nismë synon të fuqizojë teknologjitë në dispozicion të Policisë së Shtetit dhe të përmirësojë sigurinë publike.
Ministri gjithashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes për pushtetin vendor, ku transferata nga shteti për bashkitë do të arrijë në 49.4 miliardë lekë, një rritje prej 4%. Ai nënvizoi se mbështetja e shtuar duhet të shoqërohet me profesionalizëm dhe llogaridhënie.
Sa i përket rindërtimit, Demo informoi se 1.8 miliardë lekë nga fondi i 2026-ës do t’i akordohen Bashkisë së Tiranës për përshpejtimin e procesit. “Kjo mbështetje financiare do të thotë më shumë shtëpi për ata të cilët u dëmtuan,” theksoi ai.
Projektbuxheti i vitit 2027, i pari mbi 10 miliardë euro, sipas Demos, matet me ndryshimet që sjell në jetën e qytetarëve. Ai përmendi se do të ofrojë më shumë siguri publike, shërbime më cilësore dhe institucione më pranë qytetarëve.

