Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) ka ngritur alarmin për situatën e sigurisë së gazetarëve në Shqipëri, duke theksuar shqetësimin për numrin e lartë të sulmeve të regjistruara gjatë protestave të zhvilluara në vend. Në një reagim publik, EFJ nënvizon se shumica e këtyre rasteve të dhunës janë atribuara punonjësve të Policisë së Shtetit. Organizata bën thirrje për autoritetet shqiptare të marrin masa të menjëhershme për mbrojtjen e gazetarëve dhe për t’i vendosur para përgjegjësisë personat e përfshirë në këto sulme.

Sipas të dhënave të rrjetit SafeJournalists, me mbështetje nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), nga 13 deri më 31 tetor janë regjistruar të paktën 55 sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias. Këto raste përfshijnë dhunë fizike, fyerje verbale, ndalime, pengim të ushtrimit të detyrës dhe sekuestrim të pajisjeve të punës. EFJ thekson se, pavarësisht se autoritetet janë informuar dhe u është kërkuar ndërhyrje përmes një letre të hapur më 14 tetor, të nënshkruar nga më shumë se 30 organizata, sulmet vazhdojnë me një frekuencë të lartë, duke i lënë gazetarët të pambrojtur gjatë raportimit në terren.

Federata Evropiane e Gazetarëve thekson se, në kuadër të përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është thelbësore që autoritetet të garantojnë lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për të marrë informacion të qartë dhe të pavarur. Kjo situatë ngre nevojën urgjente për veprime konkrete nga institucionet përkatëse për të mbrojtur gazetarët dhe për të siguruar një ambient të sigurt për ushtrimin e profesionit të tyre.

#Gazetarët #Dhurata #Media