Ramazan Bogdani, një nga figurat më të njohura dhe të respektuara të artit shqiptar, ka ndërruar jetë këtë të hënë në moshën 92 vjeçare. Lajmi i hidhur është konfirmuar nga komuniteti tiranas dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, e cila shpreh dhimbjen për humbjen e akademikut dhe ish-balerinit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Prof. dr. Ramazan H. Bogdani lindi në Tiranë në vitin 1933. Ai kreu studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” nga viti 1948 deri në vitin 1952. Më pas, vazhdoi studimet në Institutin Pedagogjik dyvjeçar “Aleksandër Xhuvani” dhe përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku u diplomua në degën e Etnografisë. Ky formim i tij arsimor do ta ndihmonte në zhvillimin e një karriere të suksesshme si artist dhe studiues.
Veprimtarinë e tij artistike e nisi që në moshë të re. Nga viti 1950 deri në vitin 1967, Bogdani punoi si valltar solist dhe koreograf në Filarmoninë Shqiptare dhe në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke kontribuar në mënyrë të rëndësishme në zhvillimin e artit skenik shqiptar. Grupi që ai përfaqësoi arriti të prezantojë kulturën shqiptare me dinjitet në skenat ndërkombëtare, duke marrë dhjetëra çmime dhe vlerësime gjatë turneve dhe festivaleve jashtë vendit.
Në vitin 1967, ai filloi punën si punonjës shkencor në Institutin e Folklorit dhe më pas në Institutin e Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Veprimtaria e tij shkencore në këto institucione vazhdoi deri në daljen në pension. Gjatë kësaj periudhe, Bogdani iu përkushtua kërkimeve shkencore, mbledhjes, dokumentimit dhe studimit të traditave muzikore dhe koreografike shqiptare. Ai u angazhua për të ruajtur dhe promovuar pasuritë kulturore të vendit tonë, duke kontribuar në një numër të madh projektesh dhe botimesh.
Trashëgimia e tij shkencore dhe botuese është shumë e pasur dhe përbën një kontribut të rëndësishëm për etnokoreologjinë shqiptare. Disa nga veprat e tij më të njohura përfshijnë: “Vallet e Lunxhërisë” (1995), “Gjurmime koreografike” (1995), “Vallëzimi popullor shqiptar: lirika” (1997), “Visare etnokoreografike: fshatrat e Tiranës” (2003), “Etnokoreografi kosovare hasjane” (2005) dhe “Etnokoreografi” (2008). Këto vepra janë të rëndësishme për studimin e kulturës shqiptare dhe për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar.
Përkushtimi dhe kontributi i tij në dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare do të mbeten një vlerë e çmuar për studiuesit, artistët dhe brezat e ardhshëm. Me ndarjen e jetës së prof. dr. Ramazan Bogdanit, kultura shqiptare humbet një nga studiuesit dhe personalitetet më të rëndësishme të trashëgimisë folklorike, i cili ia kushtoi jetën ruajtjes, studimit dhe promovimit të vlerave të muzikës dhe valleve tradicionale shqiptare.
Ceremonia mortore do të zhvillohet në ambientet e “Funeral Home Alba 2000”, në Rrugën e Durrësit, pranë ish-Ambasadës Jugosllave. Varrimi do të bëhet të martën, më 17 nëntor 2026, në orën 12:00, në varrezat e Sharrës. Vizitat për ngushëllime do të priten të mërkurën dhe të enjten, në oraret 10:00–13:00 dhe 17:00–20:00, në ambientet e “Funeral Home Alba 2000”.
Burimi: mapo.al

