Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot, më 21 nëntor, Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, si pjesë e përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Takimi do të zhvillohet në ambientet e ‘Xibrakut’ në orën 11:00, me dyer të mbyllura. Fokus i këtij takimi do të jetë organizimi i strukturave të PS-së në kryeqytet dhe strategjia për garën e ardhshme elektorale, ku Bashkia e Tiranës paraqet një nga sfidat kryesore për socialistët.
Mbledhja e sotme vjen pas një jave të ngjeshur për PS-në, ku në Asamblenë Kombëtare të partisë, Rama shpalli shkarkimin e Erion Veliajt nga drejtimi politik i socialistëve në Tiranë. Në vend të tij, drejtimi organizativ iu besua ministrit Ervin Demo dhe zv.kryeministres Albana Koçiu, të cilët do të shërbejnë si bashkëkryetarë. Ndërkohë, Elisa Spiropali, e cila u shkarkua nga të gjitha forumet drejtuese, nuk do të jetë pjesë e mbledhjes së sotme.
Rama ka theksuar rëndësinë e forcimit të komunikimit të socialistëve me qytetarët, dhe takimi pritet të shërbejë për diskutimin e organizimit të strukturave socialiste në kryeqytet. Edhe pse mbledhja është në vazhdim, deri tani nuk ka ndonjë kandidaturë të konfirmuar zyrtarisht për kryeqytetin, duke lënë hapur pyetje për emrin që mund të propozohet për kandidat për Bashkinë e Tiranës.

