Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka njoftuar risitë kryesore të ligjit të ri për strehimin social dhe financimet e parashikuara në projektbuxhetin e vitit 2027. Këto masa kanë si synim lehtësimin e blerjes së banesës së parë dhe ndihmën për përballimin e kostove të qirasë për të rinjtë, çifteve të reja dhe familjet shqiptare.
Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Koçiu theksoi se këto masa zgjerojnë mbështetjen për strehim të përballueshëm dhe afrojnë standardet e jetesës me ato evropiane. Ajo e cilësoi këtë nismë si një hap konkret drejt vizionit “Shqipëria 2030”. “Me ligjin e ri për strehimin social që sapo miratuam në Kuvend dhe me projektbuxhetin e vitit 2027 po hapim mundësi të reja për shumë familje shqiptare, sepse e dimë sa e vështirë është sot të blesh një shtëpi. Madje, për shumë të rinj, edhe të paguash qiranë është një barrë e madhe”, deklaroi Koçiu.
Paketa e re ligjore dhe buxhetore parashikon tri mekanizma kryesorë lehtësues, secili i bazuar në kritere specifike përfitimi. Çdo çift i ri që synon të blejë banesën e parë do të mund të përfitojë “kredi me interes zero, ose 3%”. Po ashtu, qytetarët dhe të rinjtë që jetojnë me qira do të kenë mundësinë të përfitojnë mbështetje financiare nga shteti “deri në gjysmën e qirasë”. Një risi e paketës është mundësia që një pjesë e qirasë që paguhet çdo muaj të llogaritet për blerjen e shtëpisë ku jeton.
Për zbatimin e këtyre programeve, në projektbuxhetin e vitit 2027 është parashikuar një fond prej 1 miliard e 250 milionë lekësh. Përveç mbështetjes direkte financiare për familjet, Koçiu theksoi se ligji i ri hap rrugën edhe për zhvillimin urban të integruar, konkretisht “për ndërtimin e lagjeve me banesa sociale dhe të përballueshme me shkolla, kopshte dhe shërbime pranë”. Qëllimi përfundimtar i këtyre politikave është që posedimi i një banese “të mos mbetet një ëndërr e largët” dhe që gjithnjë e më shumë familje ta ndërtojnë të ardhmen në shtëpinë e tyre.

