Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj buxhetit të vitit 2027, i miratuar në Kuvend me 80 vota. Ai e ka cilësuar shifrën prej 10 miliardë eurosh si një “spekulim madhor”, duke akuzuar qeverinë për shpërndarje të padrejtë të fondeve. Berisha ka kërkuar dyfishimin e pensioneve dhe rritjen e pagave të ulëta me 50% dhe atyre të mesme me 30%. Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se madhësia e buxhetit duhet të shkonte në raport me kursin e këmbimit, duke shtuar se nëse do të përdorej kursi i vitit 2013, buxheti aktual do të ishte vetëm 5.5 miliardë euro. Ai kritikoi gjithashtu shpërndarjen e fondeve për pensionistët, duke thënë se vetëm 300-350 milionë euro janë parashikuar për këtë kategori, çka përkthehet në vetëm 1% të Produktit të Brendshëm Produkt (PBB). “Në një buxhet prej 10 miliardë euro, pensionistëve u është lënë vetëm 1 përqind e GDP-së. U janë lënë gjithsej 300-350 milionë euro. Kjo kërkon minimum dyfishimin e kësaj shifre, nga 300-350 që varion, duhet të shkojë në 700 milionë euro”, deklaroi Berisha. Ai gjithashtu kërkoi përgjysmimin e shpenzimeve operative dhe orientimin e fondeve drejt pagave dhe pensioneve, duke kritikuar shpenzime të panevojshme për udhëtime dhe fjetje në hotele me pesë yje. Berisha e quajti këtë praktikë si krim të shëmtuar, duke theksuar se këto para shkojnë në xhepat e atyre që i quajti “hajdutë”. Ai e përfundoi fjalimin e tij duke kërkuar dyfishimin e mbështetjes financiare për pensionistët, duke theksuar se asnjë pension në Shqipëri nuk duhet të jetë nën 200 euro. Kjo kërkesë vjen në një kohë kur numri i pensionistëve në vend arrin në 760 mijë.