Bordi i Transparencës ka njoftuar uljen e çmimeve të karburanteve në vend, që do të hyjnë në fuqi sot, më 19 Nëntor, në orën 13:30. Çmimi i naftës do të jetë 201 lekë për litër, duke u ulur nga 204 lekë, ndërsa benzina do të shitet me 160 lekë për litër, nga 163 lekë që ishte një ditë më parë. Çmimi i gazit do të jetë 71 lekë për litër.
Vendimi i Bordit përcakton që çmimi i gazoilit për shitje me pakicë të jetë jo më shumë se 201 lekë për litër, ndërsa ai për shitje me shumicë do të jetë 189 lekë për litër. Për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë do të jetë 160 lekë për litër, kurse ai me shumicë 148 lekë për litër. Po ashtu, çmimi i gazoilit për aktivitetin e peshkimit do të jetë 105 lekë për litër.
Bordi theksoi se çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës ka detyrimin të zbatojë këto çmime të reja. Në rastin e shkeljeve, do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, e përkrahur nga Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, është angazhuar për të mbrojtur interesat e konsumatorëve dhe për të ruajtur parimet e konkurrencës së ndershme në treg.

