Amantina Pervizaj-Kelmendi nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, gjatë konferencës vjetore të CIDREE-s, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të institutit me këtë rrjet, duke përmendur angazhimin në takime të ekspertëve, projekte të përbashkëta dhe vizita studimore. Ajo theksoi projektin e vitit 2022 për sigurimin e cilësisë në arsim dhe pjesëmarrjen në projektin MASA që do të realizohet në vitin 2026.
“Në vitin 2022, angazhimi ynë vazhdoi me dy takime të ekspertëve, njëri në Beograd dhe tjetri online. Në vitin 2024, instituti ynë mori pjesë në një takim të ekspertëve në Arosa të Zvicrës, i cili u përqendrua në monitorimin dhe parandalimin. Krahas këtyre takimeve, kemi realizuar projekte të përbashkëta dhe vizita studimore, të cilat ofruan mundësi të vlefshme për zhvillim profesional dhe bashkëpunim institucional. Kosova, në vitin 2022, mori pjesë në projektin “Sigurimi i cilësisë në arsim: Një qasje strategjike ndaj leximit”, i cili përfshiu një takim të ekspertëve në Beograd, një vizitë studimore në Lubjanë dhe një takim online. Po ashtu, për projektin MASA në vitin 2026, kemi zgjeruar angazhimin përmes takimeve të shkëmbimit të njohurive dhe aktiviteteve të tjera profesionale brenda rrjetit. Ky bashkëpunim mbështetet nga puna e koordinatorëve tanë nacionalë, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjes ndërmjet institutit dhe konsorciumit CIDREE”, deklaroi Pervizaj-Kelmendi.
Në këtë konferencë, Rebecca Satterfield, përfaqësuese e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vuri në dukje bashkëpunimin e Kosovës me programin Fulbright, duke e përshkruar vendin si një nga partnerët më të fuqishëm të këtij programi në botë. “Dëshiroj ta veçoj Kosovën, e cila është një nga partnerët më të fuqishëm të programit Fulbright kudo në botë. Kosova kontribuon për frymë në programin Fulbright më shumë se çdo shtet tjetër në botë. Ambasada e SHBA-së është e lumtur që kemi zgjatur marrëveshjen për programin Fulbright me Kosovën për pesë vjet të tjera. Falënderoj Ministrinë e Arsimit për përkushtimin e saj ndaj këtij programi. Sot, Kosova ka më shumë se 200 ish-pjesëmarrës të programit Fulbright, shumë prej të cilëve janë rektorë, profesorë dhe udhëheqës të institucioneve arsimore”, tha Satterfield.
Ajo theksoi se partneriteti i Ambasadës së SHBA-së me Kosovën në fushën e arsimit shkon përtej bursave dhe përfshin edhe ndihmën në klasat shkollore. “Kemi punuar ngushtë me institucionet arsimore të Kosovës, duke sjellë ekspertizë amerikane në trajnimin e mësimdhënësve dhe duke ofruar mundësi për zhvillim profesional në Shtetet e Bashkuara”, shtoi ajo.
Profesori universitar Blerim Saqipi, nga Fakulteti i Edukimit, theksoi rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse në edukimin e mësimdhënësve, duke lidhur përgatitjen e tyre fillestare me zhvillimin e vazhdueshëm profesional. Ai shpjegoi se do të përqendrohet në tri aspekte kryesore të edukimit të mësimdhënësve, duke vënë në dukje nevojën për orientim drejt kërkimit shkencor, praktikës dhe bashkëpunimit me kontekstin shkollor. Ai gjithashtu do të shqyrtojë zhvillimet në Kosovë dhe si ato lidhen me reformën e politikave arsimore globale. “Si mund të sigurojmë koherencë dhe vazhdimësi ndërmjet përgatitjes fillestare të mësimdhënësve dhe zhvillimit të vazhdueshëm profesional gjatë karrierës?”, përfundoi ai.
Burimi: ekonomiaonline.com

